Secondary Adv

Shqipëria, paga deri 50 për qind më të ulëta krahasuar me rajonin në 2025

Paga mesatare në Shqipëri vijon të mbetet më e ulëta në rajon, me diferenca deri në 50% krahasuar me vendet fqinje.

Rajoni lë pas Shqipërinë në paga

Edhe gjatë vitit 2025, Shqipëria ka mbetur në fund të renditjes rajonale për nivelin e pagave. Sipas të dhënave zyrtare, paga mesatare mujore bruto në vend arriti në rreth 84 mijë lekë, ose afërsisht 860 euro, duke qenë dukshëm më e ulët se në vendet e tjera të Ballkanit.

 

Serbia kryeson me rreth 1290 euro në muaj, duke ofruar paga rreth 50% më të larta se Shqipëria. Pas saj renditet Bosnjë-Hercegovina me 1245 euro dhe Mali i Zi me 1206 euro. Edhe Maqedonia e Veriut, ndonëse me rritje më të ulët, ka paga mesatare rreth 1100 euro, ose 28% më shumë se Shqipëria.

 

Rritja ekonomike pa ndikim te pagat

Pavarësisht rritjes ekonomike të viteve të fundit, kjo nuk është reflektuar në të njëjtën masë në të ardhurat e qytetarëve. Rritja është mbështetur kryesisht në zgjerimin e administratës publike dhe sektorë si ndërtimi dhe pasuritë e paluajtshme, të cilët japin efekt afatshkurtër, por nuk krijojnë produktivitet të qëndrueshëm.

 

Model ekonomik i brishtë

Kjo situatë ka krijuar një model të brishtë ekonomik, ku qytetarët përballen me çmime të larta për mallrat bazë, ndërsa të ardhurat mbeten të ulëta. Si pasojë, gjithnjë e më shumë konsum po zhvendoset jashtë vendit, duke ulur xhiron e bizneseve vendase dhe të ardhurat fiskale.

 

Hendeku në mirëqenie

Diferenca mes treguesve pozitivë makroekonomikë dhe realitetit të përditshëm të familjeve po thellohet. Me fuqi blerëse të kufizuar dhe kosto të larta jetese, shumë qytetarë nuk përfitojnë nga rritja ekonomike, duke e bërë Shqipërinë të mbetet pas në garën rajonale për paga dhe mirëqenie.

 

Pasojat për ekonominë

Ekspertët paralajmërojnë se kjo tendencë krijon një rreth vicioz: më pak konsum në vend, më pak investime dhe më pak mundësi për krijimin e vendeve të reja të punës me paga më të larta. Nëse kjo situatë vazhdon, diferenca me rajonin pritet të thellohet edhe më tej.

 

Burimi: Monitor


Më të lexuarat